Adë,
Njëherë e një kohë edhe n’ty lëshonte za andrra dëshpëruese “sikur të isha djalë”, i vetmi shpëtim nga një jetë e ngushtë, hermetike dhe krejt e parashikueshme. Djemtë ishin të lirë, të pamposhtun, të zotët e vedit dhe asnjëherë nuk i urdhnohej të kërkonin ndjesë për veprimë të tepruara. Tradita, zakoni, opinioni publik ua mbanin anën gjithmonë. Djemtë nuk ishin mbajtës turpi. Përkundrazi, sa ma e paqëndrueshme, skandaloze, aventuriere të ishte jeta e tyne, aq ma shumë fitonin simpatinë dhe lakminë e njerëzve përreth.
Ky moment-lapsus u këput shpejt nga vijueshmëria e përceptimit tand mbi botën.
Kuptove, falë aftësisë me i pa njerëzit dhe ngjarjet drejt e në dritë të syve, se liria nuk asht pronë e djemve. Liria të përket edhe ty, asht edhe e jotja e mos dysho kurrë në diçka që ke, edhe pse pabesisht mundohen me ta përcjell si çmim për sjellje të mirë. Nuk asht e nevojshme me iu kthy jetës në mitër nga fillimi, por e dalun prej saj me marrë guximshëm atë që të takon.
Herën e parë kur dikush të tregoi me gisht vendin ku duhej të uleshe, sepse ishe vajzë dhe për vajzat karriget rreshtoheshin në fund të sallës, bane gjanë ma të drejtë; qëndrove në kambë. Askush nuk do të caktonte ma një vend të humbun. Do zgjidhje ti vetë ku dhe cili ishte vendi jot.
Për ty, që me kenë e lumtun don me thanë me u ndi e lirë, nuk asht e vështirë me braktis korin, kanga e të cilit nuk ta shkund zemrën siç do doje. Por për çdo ikje, njerëzit sulen qorrazi mbi jetën tande, duke të kafshu aty ku dhemb ma fort e duke ta rishkru keqazi biografinë si diçka që duhet luftu pa i hap krahët mirë. E megjithatë, ti e din kush je… e kjo të mjafton me bollëk.
Ti e din që s’je lufta, je luftarakja.
S’je dora, je pllamba.
S’je gjoksi, je rrahja brenda tij.
S’je syni, je vështrimi.
Ti je e fortë sepse din edhe me kja, por loti jot nuk asht kredia që duhet t’i paguash botës për lirinë që manifeston pa doreza.
Prandaj qaj e qesh me të madhe e mos lejo askënd me të mësu me manual në dorë si qahet e si qeshet.
Sa herë janë çu peshë burra e gra, me përformu para teje formulën magjike të gruas së mirë, të amël, të palodhun, të pazemërume, gruas-kukull që i shkon për shtat traditës dhe mentalitetit goditës, ti ke zbulu sekretin e gruas-njeri, gruas që nuk dirigjohet, që nuk pranon të bahet shollë e asnjë këpucë, gruas që po, zemërohet, çon zanin, i ik kutisë së bukur në të cilën e keni mbështjellë e harru dhe kundërshton me vendosmëri çdo standard tuajin… sepse gruaja nuk ka lind me plotësu tekat e askujt.
Dashnia për vedin i kapërceu tana pengesat. U vetëzgjodh në një kohë që propagandon me mish e shpirt: vetëflijimin, dedikimin absolut karshi tjetrit si kulmin e arritjes njerëzore.
Në një shkollë të përditshme jetese, ku vajzave u injektohet si landë e parë fillimfjalia ”unë duhet”, ti stonove me ”unë dua”.
Në një meshë monotone, gjatë së cilës gruas nuk i lanë gjurmë pa djegë, ti zgjodhe mos me u fsheh, mos me pas frikë nga vagina jote.
Pikërisht ajo gru që shoqnia, morali, farefisi të ndaloi me u kenë, pikerisht ajo grua ti je SOT.
Ti zgjodhe me u dasht, para se me dasht.
Zgjodhe trupin para turpit.
Zgjodhe fjalën para tërheqjes në heshtje.
Zgjodhe kureshtjen para përshtatjes dhe mjaftimit me pak.
Adë, ia ka vlejt gjithçka; çdo plagë që merr me vedi ka memorien e saj… memorien e kafazëve që shkatërrove për me fitu ajrin e papremë. Lirinë. S’ka turrë drunjësh, burg, dhome me gaz, pushkë, thikë, helm, që e vret shpirtin tand plot uri e etje.
Ja ka vlejt, sidomos gjithçka që u stërmundu me të lëkund, me të tkurr, me të tremb, me të vetmu, me të shemb.
E di, ka njëqind gjana që nuk shkojnë n’ty çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë, sfilitesh me u mat, me u përball, me rrethu në qoshe të largta njollat ma të egra të territ tand… përpiqesh dhe don fort me kenë një individ ma i mirë, ma i drejtë, ma i hapun.
Rregullat që të trajtojnë si gru, si shërbëtore, si rolmbajtëse, si suvenir, thyeji tana… një nga një.
Ti s’ke natyrë me ndjek. Ti je natyra që mbijeton e mbjell harmoni në kaosin ma total… je nana e tana stuhive, tana ditëve me diell, tana netëve që s’fiken kurrë.
S’je relike. S’je modë e re. S’je devijim. S’je e çmenduna e derës përbri. S’je barrë.
Ti gjendesh e katapultume në vendin e gabum, në kohën e gabume, në momentin e gabum.
E prap, si për ironi të ironive, je jashtëzakonshmërisht në kambët e duhuna, në rrugën e duhun.
Me dashni
Gruaja që Je.