Dashnia jeme e parë jam Unë.

Na kanë thanë së trupi jonë asht i pastër vetëm i mbulum, në të kundërt konsiderohet si mjet provokues e si i tillë na njollos me turp.

Na kanë thanë se virgjëria na ban me ecë kryenaltë e se një vajzë me ma shumë se një partner përgjatë  rrugëtimit seksual dhe jo vetëm, kthehet në mbeturinë  njerëzore e nuk i duhet gja askujt.

Na kanë thanë se gjatësia e fundit (mbi apo nën gju) asht arma me fitu betejën e respektit. Disa centrimetra stofë na shpëtojnë ose fundosin.

Na kanë thanë se liria jonë ka një orar të caktum dhe se itinerari pasiv shpi-shkollë-shpi na mbron nga rreziqet e burrave të huaj.

Na kanë thanë se litarët rreth fytit janë për të mirën tonë e se në vend të besimit imponohet si i nevojshëm kontrolli.

Na kanë thanë se me dasht vedin fort asht gabim, egoizëm,vetmi e varfni shpirtnore e përbindshme.

Na kanë thanë se emni jonë i pagëzimit asht Sakrifica: një grua përsëmbari duhet me ditë me dhan pa prit asgja në kthim.

Na kanë thanë se gratë e mira janë ato që në vend të  karrierës zgjedhin gjithmonë e pa dyshim familjen dhe se poltronen e nderit në sytë e shoqnisë  e fiton ajo grua kuzhina e të cilës shkëlqen gjithmonë,ajo grua burri i të cilës nuk del nga shpia me këmishë të pahekurosun,ajo grua që punon e prodhon si një kafshë devotshmërisht punëtore me buzën në gaz, pa iu ndigju zani kurrë  , pa u anku, pa u revoltu asnjëherë.

Na kanë thanë se para nesh i shërbehet bashkëshortit, babës, vëllait.Në fund ne mbushim pjatën tonë me dorën tonë.

Na kanë thanë se gruaja ka fut shejtanin në shishe, se për një grua janë vrarë me mijëra burra, se një grua asht mollë sherri dhe në vend të zemrës i rreh faji  …

Na kanë thanë se fëmijët tonë janë fëmijët e barkut tonë. Gjakun, mbiemnin, shpinë e gjejnë tek i ati.

Na kanë thanë se një grua vlen gjithmonë ma pak se burrat rreth saj, vetëm se jeta e ka prit si grua.

Epo,na kanë rrejt.Po,na kanë rrejt krejt pabesisht.

Na kanë rrejt aq bukur sa disa prej nesh besojnë kambë e krye edhe sot në përrallën komike të borebardhes që pret ta nxjerrë nga gjumi puthja e një princi.Na kanë rrejt aq kujdesshëm sa secila prej nesh ka një frikë të pashpjegueshme për me kapërcy muret e izolimit.Na kanë rrejt e pretendojnë që ne me kry të njajtin akt absurd e të përçudshëm  me vajzat tona, me mbesat tona, me shoqet tona.

Na kanë mësu didaktisht me ndreqë çdo rrëmujë përveç rrëmujës në jetën tonë.

Na kanë mësu se pushteti dhe e drejta i takon gjithmonë një burri, vetëm sepse asht burrë.

Na kanë mësu me besu në dicka që kanë gatu vet e për ta çu deri në fund misionin e ”mbushjes së mëndjes” kanë shpikë fjalë si tradita dhe zakoni apo ma keq, shesin si të vërtetë universale zbritjen e këtyne urdhnesave të padiskutueshme prëj sofrës së Zotit”. NëSE asht kështu, më lëjoni t’ju them, që Zoti i tyne s’më ngjall asnjë simpati e as interes.

TRUPI jonë, GOJA jonë, JETA jonë asht cmendunisht, intimisht, plotësisht vetëm e jona. Kjo asht e vërteta që na kanë fsheh. Prandaj ka një derë të hapun, dy hapa larg meje, për këdo mundohet me m’zbut, me m’stërvit ose me m’përdor për arsye estetike.

Unë nuk jam gojë që mbyllet.                                                                                                             Unë zemërohem, indinjohem, kundërshtoj sepse jeta e një gruaje nuk duhet të jetë kurrsesi një shërbim ushtarak i përjetshëm.

Jeta e një gruaje nuk ka pse me i la botës borxhe që s’janë të sajat.Jeta e një gruaje nuk asht fleta e bardhë, mbi të cilën ju mund të shkruani pa frena skenarin që ju lan me ujë të shenjtë.

Unë zemërohem, indinjohem, kundërshtoj sepse nuk më ngijnë dramcat që herë mbas here mi hedhni në shenjë pajtimi.

Unë zemërohem, indinjohem, kundërshtoj sepse s’më mjaftojnë qoshet që më keni caktu pa më pyt. Jam ma e madhe se burrnia juaj.

Unë s’jam kundër jush nëse ju të parët s’jeni kundër meje.

Unë s’ju luftoj nëse ju të parët nuk shpallni luftë.

Unë do vazhdoj t’ju hedh në valle derisa të pranoni se në këtë kërcim të dëshpërum drejt jetës, jena të gjithë kërcimtarë të të njajtit rreth.

Ju burra që pretendoni se jeni gjinia e fortë, se mbretërit e çdo fushe kanë të përbashkët me ju një organ gjenital, më bani me qesh. Jeni thjeshtë e pastër viktimat e para të sulmit tuaj. Mbasi keni lujt të fortin për shumë kohë, ju kushton me u shty ma tutje e me lëshu vend.

Ju gra besnike që i mbani ison burrave tuaj (edhe atëherë kur nuk iu asht ofru zgjidhje tjetër) unë e di që brenda vedit vritni cdo ditë nevojën e pangishme për liri.Shkruj, edhe për ju, sepse kjo asht ndihma e parë që mund të jap.

Në fund, them me bindje se me dasht vedin na mëson me besu në dashni…jo në dashninë e trazume me lugë guri, por dashninë që nuk ven dry te liria, te fjala,te zgjedhja.

Prandaj , kur njerëzit më pyesin se cila asht dashnia jeme e parë, përgjigjja vjen si rrufe:Unë.

Me gojë e me shpirt plot pranoj:dashnia jeme e parë, jam Unë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s