Unë jam GruAH.

Unë jam GruAH.
Me AH në fund.

Ah për ditën kur linda e për keqardhjen e njerëzve ”Sa keq!Të ishte djalë i ishte ba shok të vëllait”
Ah për fjalën e parë që shkrujta,emnin tem,pa i mbush tre vjeç.
Ah për herën e parë kur më thanë ”të vijnë turp,je dy metra vajzë” e unë turp nuk ndiva,falje nuk kërkova,e asnjë lot s’iu afru synit tem.
Ah për rregullen e parë që hodha në ajer e për pendimin qe s’pata asnjëherë.
Ah për ”skandalin” ma të përfolun,dashninë për djalin që zgjodha vetë e nuk ia fsheha botës.
Ah për dhimbjen e shtrëngimeve të barkut në menstruacionet e para.
Ah për orgazmën e parë,lirinë e gjakut,lirinë e kënaqësisë.
Ah për trenin e parë drejt universitetit,1360 kilometra larg prindve të mi.
Ah për punën e parë,rrogën e parë,kolegen e parë.
Ah për udhëtimin e parë vetëm,frikën që s’pata kurrë nga të huajt dhe tërheqjen magnetike me të panjohurën.
Ah për tatuazhin e parë,bojën e zezë që puth mishin tem përjetësisht.
Ah për 5 kilet mbi peshën ideale,celulitin rebel dhe hundën larg parametrave francezë.
Ah për kurrizin tem të mermertë sa herë më kërkuat përkuljen.
Ah për luftën që m’u shpall e viktimën që s’u bana.
Ah për litaret rreth kyçeve që kam shky me dhambët e mi.
Ah për mëshirën që s’pranova kur provuat me m’a ble të drejtën.
Ah për mëkatet e mia,aspak ma të randa,aspak ma të errëta se mëkatet e një burri.
Ah për shkeljen që dhemb ma fort,vetëshkeljen.
Ah për 4 stinët që njiherazi rrahin n’mu.
Ah për tokën,farën,rranjën,ujin,dritën që bashkë lindim e rilindim në këtë trup që dua.
Ah për njeriun që më mësoi kush jam pa kenë as e tepërt e as e mangët,veten.

Jam Gruah.
Me Ah në fund,
Një poezi me fjalë shkrumbi e stuhie,shkamb i therun në mish,brinjë e shkulun prej qiellit
Jam natë edhe ditën për diell e diell edhe në natën ma të sterrtë.
Jam trup i tana lëkurave,lëkurë e çdo oreksi.
Jam zà,mendim,dyshim,lëvizje,flakë e akull
Jam zgjedhja jeme e me gurët e mi ndërtohet liria
Shkruhem e fshihem veç prej dy duarve të mia
Jam bijë e dhimbjes e nanë e guximit
Jam rruga e kthimin në shtëpi dhe rruga e përhumbjes
Jam vagabonde,nomade,folè e pambarume.

Jam Gruah
Me Ah në fund.
Si Ah-u mbas triumfit,çlirimit,ringritjes,drejtësisë së vume në vend.
Jam Gruah.
E në veshin e jetës,me lejen e askujt,jam pasthirrmë e pazbutshme.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s