Andrrat nuk kanë gjini.

-Cili asht PENGU jot ma i madh?-pyta para pak ditësh një mikeshën teme.

Pa u mendu aspak,erdhi vrrik përgjigjja e saj,e paraprime nga një ofshamë e papërcaktume mirë:-Që nuk vazhdova shkollën e policisë…Baba refuzonte totalisht përfshimjen teme në një profesion aspak të denjë për një vajzë e unë s’pata forcën e duhun me e kundërshtu.

Ajo nuk asht shqiptare por vjen nga një kulturë binjake me tonën,një kulturë që vazhdon t’u hidhet egërsisht në qafë vajzave dhe grave që guxojnë me çu në port andrrat e tyne,veçanërisht kur këto andrra ndodhen në territore të shënjume fort prej burrave.Zakonisht vajzat dhe gratë,në momentin e parë që i shprehin me za të naltë këto dëshira”atipike”,shkapeten menjëherë me shprehjet ashpërsisht të gatshme :s’asht vend për ty;ça don me ba ti n’mes tanë atij batalion burrash;në ambjente të tilla edhe me kenë e ndershmja e botës të del nami i zi.

Nami pra,ky gogol shqiptar i lashtë,që çuditërisht përndjek vetëm vajzat dhe gratë e prej të cilit duhet me u rujt ma shumë se prej vdekjes.Nami asht matësi i vlerës tonë.

Klani i baballarëve,vëllezënve apo bashkëshortëve (të cilët përfaqësojnë vulën,lejen,të drejtën me vendos ku/kur/si e qysh vajza,motra apo gruaja duhet të angazhohet në filan punë/veprimtari/aktivitet) gjuajnë dhe përzgjedhin me kujdes patriarkal ato vende ku shumica e kolegëve janë gra,me orare të tilla që gruaja mos të anashkalojnë shërbimin familjar dhe me pozicion mrapaskenik,pra larg vëmendjes kolektive.

Kambngulja që profesionet e grave duhet medoemos të kenë një prekje poetike,delikate,të sigurtë,femnore,hermetike dhe të mos lajnë gjurmë që mund të rrezikojnë reputacionin ose moralin e saj të shenjtë asht një kambngulje paleolite,siç edhe bindja imagjinare që rreziku,armët,pushteti,lufta,strategjitë,kufinjtë dhe kontrolli gjeografik janë dhe DUHET të jenë pjata qëndrore në tavolinën e burrave.Qasje të tilla e kanë vendin në harresë sepse diferencën në këtë botë e bajnë njerëzit,jo gjinitë. Vetë historia na ka shërby shembuj grash të hekurta në politike dhe biznes sikurse modele burrash që shkëlqejnë në gatim apo në revolucionimin e modës.

Gjinia,sidomos strumentalizimi i saj për ushtrim kontrolli,asht veç një kurth shoqnor i qëllimtë(për gratë kryesisht),me u ndërpre hovin e me i tërhek mrapsht në kotecin tradicional,një kotec për idealizimin dhe trashëgimin e të cilit vetë gratë kanë një kallep të bollekshëm faji,jo vetëm për faktin që kanë vu thembrat nga kishin majet me shpejtesinë e dritës,por sepse kanë luftu me përçmim dhe mizori kundër lirisë së grave të tjera.

Asnjë ligj,zakon a traditë s’ka fijen e të drejtës me ndalu një vajzë me praktiku profesionin e kamionistes,nëse kjo asht zgjedhja e saj, ashtu sikurse s’duhet me u ngrit asnjë pengesë për një djalë që dëshiron me u ba parrukier (jo thjesht berber).

.Andrrat nuk kanë gjini.

As pasionet.

As profesionet.

As e ardhmja.

…e jetës duhet me i ndejt stoikisht në timon,jo mrapa në bagazh.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s