“Ato” e kanë një emën.

Po mendoja këto ditë,nën kthetrat e oreksit të pakontrollueshëm premenstrual dhe humorit me dallgë rrëmbyese,mbi galerinë e tabuve në Shqipni.Edhe pse brezat ndryshojnë,disa frikëra mbytën e të tjera mbijetojnë si të pavdekshme,tabutë vazhdojnë me pas një rezidencë fikse:trupin e grave.Krateri gjinor vazhdon me përzi të njajtën llavë prej shekujsh.Turpi triumfon mbi gratë,burrnia mbi burrat.Pikërisht një tjetër turp që gratë duhet të fshehin siç fshihet një krim, asht turpi nga menstruacionet,një dosje me pullë të kuqe sipër për moralin sovran të shqiptarve,për të cilat shkruhet përciptazi,flitet me doreza dhe nën zà (përgjithësisht me terminologji mjekësore);monitorohen duke u mbajt me majen e gishtave dhe me një të ngritun buzësh që i afrohet ma shumë neverisë sesa kuriozitetit sa për shumicën e grave ”ato ditë të muajit” janë një mallkim natyror prej të cilit nuk mund të ekzorçizohen.

Unë isha 14 vjeçe kur përjetova ciklin e parë menstrual,e fundit nga shoqet e mia.Ndjenja që provova në çastin e parë kur pashë pikla të kuqe gjaku mbi mbathjet e bardha nuk qe as traumatike,as euforike.Nana jeme ishte mundu me më dhanë paraprakisht një shpjegim bazik dhe shumë tradicional në lidhje me gjakun fertil.Sipas saj kjo ngjarje martohej me një ndryshim apokaliptik jo vetëm të trupit tem por edhe ekzistencës si grua.Prej atij momenti Zoti më kishte beku me farën e pjellorisë dhe pikërisht për këtë fakt duhet të tregoja kujdes të skajshëm.Gjaku që sillte në jetë jetën,mund edhe të ma sakatonte atë.Në botëkuptimin poetik,Ada 14 vjeçare e shihte gjakun e ri si gjakun e vrasjes së fëminisë.Naiviteti,mungesa e informacionit dhe takti varfanjak me të cilin nana jeme tentonte me më shty drejt një xhungle ku duhet të mendohesha 10 herë përpara se me vepru 1 herë(diskurset mbi marredhaniet seksuale të mbrojtuna i shihnim vetëm nëpër seriale amerikane)krijuan brenda meje një humnere ankthi që sot më duket surreale.Isha një kesulkuqe e sapodalë nga furra e përrallave e gjithë djemtë e burrat më dukeshin ujqër të egër që mund të përfitonin nga dobësia e trupit tem.

Prej asaj dite,çdo muaj,unë kisha ATO.Ato kush?Miq?Armiq?Aliene?Krijesa mitologjike?ATO ishin ”gjanat e mia”,hermetikisht të kyçuna në heshtje ose të konsumushme vetëm me gratë e tjera.Ky qe leksioni i parë i turpit për trupin në të cilin banoja.

Kujtoj dhimbjet e fundbarkut,trazimet hormonale,gjendjen e tendosun emocionale.Kujtoj pyetjen:Pse Zoti i ka dënu gratë me dhimbje dhe ofshamen e nanes teme nga dhoma tjetër.Kujtoj friken se mos ”paditeshim” nga trupi jonë dhe kërkesën që i stërpërsëritshim shoqeve kur ecnim rrugës:Më shif me stil pak mrapa se mos ja ba pis.Kujtoj,kur shkoja me ble pecetat higjenike(sanitare) në dyqan,shitëset gjithmonë më jepnin një buzëqeshje inkurajuese dhe e mbështillnin pakon e Linesit fillimisht në një gazetë të vjetër e mandej në një qese me ngjyrë blu të erret.-Kështu s’ta sheh kush-thoshin duke më shkel synin në shenjë solidariteti mes bashkëvuajtësesh.Kujtoj në gjimnaz, kur dhimbjet nuk duroheshin ma dhe merrshim leje papritun,justifikimi ishte i njajti:jam e sëmurë.Ne nuk ishim të sëmura sepse menstruacionet nuk janë sëmundje por provokojnë dhimbje që nuk duhet kurrsesi të injorojnë kontrollin mjekësor.

Kujtoj kur menstruacionet takonin me kohën e plazhit dhe pyetjes së djemve se pse nuk futeshim në det,i përgjigjeshim me sytë pak në ulje:kam dhimbje barku.Ky reagim gati si i xanun në faj dhe pantallonat e shkurtra që vishnim nga frika se mos diktoheshim,dërgonin imagjinatën e tjetrit tek burimi real por e vërteta rrinte pezull në ajër.Kujtoj orët e mësimit në landën e biologjise kur flitej me vrap për menstruacionet,furinë e profesoreshes me e kapërcy paragrafin e ”sikletshëm”,skuqjen e faqeve tona dhe nënqeshjet kronike të djemve.

Kujtoj zbulimim revolucionar të tampaksit(tamponëve) dhe dilemen hamletiane:A i zhvirgjeronte tampaksi vajzat e paprekuna apo jo?Unë dhe shumë shoqe të miat këtë frikë e kalume vetëm mbasi u ”prekëm”.

Kujtoj vitet e para kur kisha nevojë urgjente për peceta dhe nuk kisha kulturën e parapërgatitjes qe kam sot,isha krejt e re dhe e varun ekonomikisht prej prindve dhe i kerkoja nanës me i thanë babës me m’i ble pecetat por duke e rrejt se i duheshin për vedi dhe jo për mu.Një strategji aspak diplomatike,nga asnjena palë.

Absurditete të tilla popullonin jetën tonë periferike dhe ne u dorëzoheshim pa lag mendimin në asnjë dyshim.Kujtimet e mia sigurisht janë simotra me kujtimet e shumë vajzave dhe grave të brezit tem,të cilat edhe sot ruhen fort nga ”ndëshkimi” i trupit dhe një shumicë e mirë e tyne ndiejnë zor e siklet edhe përpara bashkëshortëve gjatë ”atyne ditëve”

Sikleti në fakt asht i dyanshëm.Po të gjykojmë qëndrimin e burrave shqiptar përballë argumentit menstruacione,përgjigjja nuk kërkon shume fantazi .Kategorizimet janë të pashmnagshme.

Një pakicë simbolike nuk dekompozohet kur fjala menstruacione inflitrohet në muhabet e sipër dhe as tentojnë të fshehin sytë majtas e djathtas kur gratë flasin lirshëm dhe natyrshëm për harmoninë trupore.In secundis,kategoria e burrave që javën menstruacionale e përkufizojne me tre tituj:gjak nga ”poshtë”,turbulencë ndjenjash dhe pauzë nga intimiteti seksual.Në fund,vjen vala e nxehtë e atyne burrave me b të vogël shtypi që indinjohen,neveriten,tërhiqen rrufeshëm në qoshen e injorancës personale sapo zbulohet sapopak kompleksiteti kolektiv i ”gjanave të grave”.Shumë nga këta personazhe-viktima të sindromave të ç’burrnimit,turpit apo gjyqit opinionist,preferojnë ma parë të kastrohen sesa t’u blejnë grave pecetat gjatë pazarit të zakonshëm.

Por nëse burrat frenojnë përpara se të përzihen me çështjet e gjinisë tjetër (ka nga ato burra të cilët të stërvitun gjatë me përemnin zevëndsues ”ato” nuk ia kanë haberin domethanies së termit menstruacione) gratë bien në një kurth edhe ma mjeran.Duke iu referu menstruacioneve me ”kam gjanat e mia”,gratë nuk bajnë asgja tjetër veçse mohojne natyrën e trupit dhe autonominë e tij,duke u vetëndëshku me një turp që s’na perket.”Ato”e kanë një emën.Quhen menstruacione dhe nuk ia ndyjnë as gojen e as duart atij që i përmend.Atë ditë të muajit janë ditë të zakonshme në kalendar.Janë gjaku ma i pafajshëm.Nuk janë as njollë turpi e as elisir shenjtë.Nuk kanë nevojë për reçension romantik e as për delir populist.Menstruacionet duhet të merren seriozisht por jo të shfrytëzohen si vegël diskriminuese për vajzat dhe gratë,në asnjë rrethanë e në asnjë ambjent.

”Aty poshtë” nuk ndodhin ngjarje të frikshme shtrigërie;në mes të kofshëve nuk rrjedhin papastërtitë e botës;”ato ditët e muajit” nuk janë ditët e djallit dhe gruaja nuk shndërrohet në kuçedër.Ajo që ndodh asht një proçes biologjik aspak enigmatik.Mitra e gruas përgatitet çdo muaj me prit një shtatzani të mundshme,por nëse nuk ndodh fekondimi i vezës,shtresa e mukozës brenda qafës së mitres dezintregrohet dhe shkarikohet në formën e menstruacioneve.Kaq!

Trupi jonë nuk ka pse kërkon falje për natyrën e tij.

Trupi jonë nuk asht turpi jonë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s