Si tana gratë e tjera…

Edhe unë,si tana gratë e vendit tem,jam përcjellë jashtë mureve të fëminisë me mësimin e ftohtë se burrat e kanë për detyrë me i ngacmu gratë dhe se në gjakun e tyne vlon epshi i pafrenushëm i një instikti që i mbivendoset arsyes.Por burrat çuditërisht nuk mbajnë asnjë faj në këtë pyll tarzanësh.Ligji i natyrës përcakton ndarjen e pushtetit mishtor,me role dhe racione të pabarabarta.Burrat mitëzohen nga natyra si hamshorë të papërmbajtshëm dhe gratë si virgjëresha të ndrojtuna në dispozicionin e tyne.

Edhe unë,si tana gratë e vendit tem,jam orkestru sipas modelit të gruas që hesht.Për t’i shpëtu gjuetisë së burrave,duhej t’ua gënjeja vëmendjen.Nëse zbrisja sytë përdhè e ecja fishek në rrugën teme pa i dhanë shkak kambnguljeje ,burrat do humbisnin interesin karshi meje,do hiqnin dorë nga fantazitë mbi mua për të kalu direkt të preja tjetër (ndoshta vajza në anën e kundërt të trotuarit).Por nëse u përgjigjesha,nëse reagoja,kjo do i tërhiqte ashtu siç tërhek gjaku peshkaqenin e uritun.Prandaj nëse nuk doja telashe,njolla të përjetshme në një qytet që grave ua përsekuton lirinë,duhej të luaja rolin e kameleontit afrikan,i cili sapo nuhat një rrezik të pashmangshëm,shtiret si i vdekun.

Edhe unë,si tana gratë e vendit tem,jam eduku me ligjërimet ma të mbrapshta maskiliste si:vajzat e mira nuk provokojnë;vajzat e mira injorojnë abuzuesit e mundshëm;vajzat e mira nuk flasin shumë;vajzat e mira nuk veshin minifunde;vajzat e mira nuk shënjohen nga ndodhi të pakëndshme sepse nuk krijojnë situata të pakëndshme.Këto barcaleta dimnore reanimojnë humorin e lig të perandorisë së tradicionalistave.E vërteta ka tjetër faqe.E vërteta asht që agresioni seksual nuk ban dallime dhe as nuk identifikohet me një pasaportë të caktume.Nuk ka randësi nëse vjen nga një fshat i humbun i Kabulit apo nëse punon në gradaçelat ma lukzose të New York-ut;nuk ka randësi veshja që zgjedh në mëngjes apo për festën e ditëlindjes ku të kanë ftu;nuk ka randësi nëse rrugën e shkel me takën e Prada-ve apo me shollën e këpucve të gjimnastikës:nuk ka randësi ora kur kthehesh në shtëpi;nuk ka randësi fiziku i thatë apo elastik,niveli i ekzibicionizmit,fytyra ujë e sapun apo ngjyrat e makiazhit.Këto janë detaje që për të parën herë nuk bajnë diferencën.Mjafton të jesh grua dhe automatikisht je edhe subjekt dhune..

Edhe unë,si tana gratë e vendit tem,jam rrit qëllimisht si grua.Jam mësu me pas turp nga zhvillimi i hovshëm i trupit autonom.Jam mësu me mbyt instiktet e mia njerëzore.Jam mësu me tkurr shpatullat që gjoksi mos me dalë në skenë.Jam mësu me ul fundin që burrat mos më ndi shpërthimin e hormoneve.Jam detyru të kufizoj daljet e shpeshta,të respektoj orare të përshtatshme,të mos rri kurrë vetëm për vetëm me një burrë në vënde jopublike,të mos i jap shumë konfidencë gjnisë tjetër sepse kjo nënkupton t’i autorizoj të drejtën e batutave primitive apo t’i ftoj me vullnetin tem të plotë në një lojë të sëmurë.

Edhe unë,si tana gratë e vendit tem,jam lind me një nishan faji në lëkurë.Jam grua,pra jam mollë sherri,jam dinake,katile,aq e mprehtë sa me fut shejtanin në shishe por njëkohësisht edhe aq budallaqe sa me i lanë grykën hapun.Burrat shkarikohen gjithmonë nga përgjegjësitë.Shkaku asht grua.Pasojat janë pronë e grave.Faji quhet grua.Ngacmimi verbal,dhuna fizike,abuzimi seksual vazhdojnë me u shkapet mbi tryezën e diskutimeve familjare,mediatike,institucionale kryesisht si probleme të grave.Meqë pranimi se pas një gruaje të sulmume seksualisht,gjendet një burrë abuzues,nuk korr pajtim mendimesh preferojmë të hetojmë mbi fenomenin me argumenta frikacake si përshembull përmendja e minifundit,këmishës së zbërthyme përtej normës,gotës se tëpërt të verës,provokimit me kast.Edhe njëherë burrat rrëshqasin butë mbi mjaltin e një kulture padyshim të njëanshme.

Edhe unë,si tana gratë e vendit tem,jam stërvit rregullisht me udhëzime,këshillime,leksione se si të shmangia rriskun e një cënimi fizik seksual .Ky manual me ”receta gjyshesh” asht komplet cung.Fillimisht sepse u drejtohet vetëm vajzave dhe grave,pra gjinisë që pëson.Jo vetëm kaq.Inçizimi i mendimit foshnjak që dhuna e fjalës nuk meriton peshën e dhunës së duarve,legjitimon shkallëzimin e dhunës në vetvete.Kjo jo vetëm që nuk i mbron gratë,por edhe ma keq,i trajton si qënie me pjesë të këmbyshme.Për të disatën herë,burrat mësohen me u zbavit me gratë e gratë me pasë frikë nga burrat.

Edhe unë,si tana gratë e botës,kam një histori me rrëfy. Një histori që nis nga fishkëllimat mbas shpinde të gufume me fjalë pështjelluese (në rastin ma të mirë) e deri në rrezikshmërinë apo tentativën e dhunës fizike seksuale.Një histori që asht shuma e tana historive të përsërituna në rrugë,në vendin e punës,në autobuz,në korridoret e shkollës,në një ekspozitë pikturash,në sportelin e postave.Agresorët jo gjithmonë janë kalimtare të rastit,jo gjithmonë i ngjajnë të panjohunve.Janë miq,familjare,mësues,kolegë,komshi.

Edhe unë,si çdo grua tjetër në botë që thotë të vërteta të palevërdisshme,kam marrë mesazhe dhe ofendime anonime dhe jo vetëm,kërcënuese dhe degraduese nga burra të cilët nuk pranojnë kurrsesi që një grua të sillet dhe të veprojnë si një individ me mendim të lirë dhe të pavarun.

Edhe unë,si çdo grua tjetër në botë,pritet të frikësohem,të nxa mend,të kuptoj që forca jeme nuk mund të matet kurrë me forcën vikinge të një burri;pritet të zmrapsem dhe të jetoj një përrallë ku askush nuk asht i lumtun.

Por unë,si tana gratë viktima të dhunës seksuale verbale ose fizike,por që nuk kanë nevojë të viktimizohen apo mëshirohen,nuk do lëviz asnjë milimetër nga dera e të vërtetës teme.Nuk pranoj asnjë turp,asnjë faj,asnjë kufizim.Turpi asht i manifestuesve të dhunës dhe spektatorëve të saj,i atyne që s’patën kohë e as dëshirë me ua ndigju zanin grave,i atyne që dhunën na e servirën si diçka normale e aspak të jashtëzakonshme,i atyne që na mësuan heshtjen,i atyne që na i shtypen kryengritjet.

Edhe unë,si tana gratë e tjera që nuk joshen aq lehtë nga solidariteti i fasadës dhe drejtësia handikape;që nuk i binden një sistemi trushpërlarës,që nuk gjejnë ngushëllim në asnjë tjetër parullë apo qasje emotive përveç ligjit…mbahem fort në kambët e mia,i mëshoj fort të zezës mbi të bardhë e nuk ia fal as presjen atyne që sapunin ma shesin për djathë.

One thought on “Si tana gratë e tjera…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s