I namun brenda dhe jashtë barkut;i abortum pse nuk ishte djalë;i varrosun porsalindun;i mutilum gjenitalesh;i djegun në turrë drunjësh e i gjujtun me gurë mali;i përdhunum për së gjalli e për se vdekuni;i rrahun e i mavijosun;i përdorun e i braktisun;i prekun e i shtymë;i përfolun e i shamë;i marrun me zor e i kthym mbrapsht si mall;i zhveshun e i mbytun;i fshehun e i pagjetun…trupi i grave i ka provu tana tmerret,i ka pa tana makthet.

Nga vendi ma i varfën te ai ma i pasuni;nga ma i prapambetuni tek ma revolucionari;nga Pakistani,India,Sudani,Kina tek Islanda,Suedia,Kanadaja,Shtetet e Bashkume;nga koha ma e largët te data që shënon kalendari në mur,trupi i grave nuk gjen rahati.
Në qendër të ciklopit kulturor,nën sundimin kushtetues të burrave apo nën thembren e imazhit manekin që industria e reklamave përplas nëpër ekrane,kopertina revistash,postera autobuzash,gruaja mposhtet si e huaj në një trup anonim.

O shumë mbipeshë,o shumë nënpeshë.
O fabrikë fëmijësh,o sterile e dështume.
O shumë trup i mbulum,o tepër i zbulum.
O fundi shumë mbi shalë o fundi si murgeshë.
O shumë joshës,o hiç eksitues.
O shumë si prostitutë,o aspak sensual.
O shumë e prekun,o virgjëreshë e stazhonume.
O shumë energjik,o tepër i lodhun.
O shumë i parfumosun,o shumë i djersitun.
O shumë i zi,o shumë bardhosh.
O shumë tonik,o shumë i varun.
O shumë leshatak,o tepër i depilum.
O shumë perfekt për me kenë i vërtetë,o shumë natyral për me ra në sy.

Herë i tepërt,herë i mangët,herë shumë shumë e herë shumë pak kjo masë përkryeshmërisht njerëzore prej mishi,gjaku,gjymtyrësh e dinjiteti,në çdo orë të historisë,nuk i shpëton etiketave,bullizmit,paragjykimeve,diskriminimeve,listave të zeza.

I çensurum me pullë të kuqe,i ndjekun nga miliona sy e duar për me eksploru e pushtu çdo centimetër të tijin,shitun masivisht(dhe jo rrallë pa vetëdijen e gruas) si objekt seksual ose si fantazi virtuale për t’i çu gojën lang mesoburrave apo ringjall “zilinë” e shtëpijakeve po aq sa edhe i poetizum si bohçe e jetës,si atdhe i shpresës dhe rikrijimit,i soditun prej jashtë sferës së kristaltë nga ku xhandarmëria vllaznore i ruan nderin,nëse nuk çon përpara si kali karrocën,planin hyjnor për të cilin ekzistenca e tij merr kuptim,ky trup dekompozohet në turp,në plaçkë,në xhind.

Gratë shihen në pasqyrë me sytë e burrave,maten me parametrat e modeleve,zhdukin rrudhat,ia kanë frikën një kohe që po i harron edhe pse i ka përballë.Gratë nuk e dojnë trupin brenda të cilit banojnë përveçse kur brenda tij formohet jeta dhe detyra e saj përmbushet.Përndryshe e mohojnë,e fshehin,e tkurrin siç tkurret një kafshëz e trembun.Ndjejnë siklet nga celuliti,ankth nga dalja ne kostum plazhi,turp nga mestruacionet,nga vetëkënaqësia sepse atje jashtë një turmë të marrësh mezi pret me ia drejtu gishtin e përgjegjësisë.Neglizhojnë vizitat te gjinekologu.Nuk informohen mbi planifikimin familjar.Marrëdhaniet seksuale i shndërrojnë në shërbim seksual.Bahen nana të kukullave,vëllait të vogël,bashkëshortit,fëmijëve…pa udhëtu rreth vetes si vajza e si gra të plota.Nuk janë kureshtare për britmën e trupit.E marrin mbas vetes si barrë apo si mjet për me mbërthy shpejt e lehtë një qëllim.

Por trupi i grave nuk asht as armik i grave,as barrë,as eksperiment shoqnor,as kuti suprizash.
As memec,as analfabet.
As pronë,as faj e as fajtor.

Asht shtëpi e gjallnisë.
Jo turp.Kurrsesi turp.

One thought on “

  1. your99friend says:

    Ada , je e jashtezakonshme !!!

    Ti je frymezim per femnat , sidomos per ne te zones veriut .

    Te pershnes shume dhe te uroj shume suksese 🙂

    ________________________________

    Like

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s