Gratë shqiptare janë gra të palumtuna.

Gratë shqiptare janë gra të palumtuna.

Kjo palumtuni prej mishi,gjaku e buzkuqi asht e zeza mbi të bardhën, asht e vërteta që jena msu me ndry primitivisht në dhomat ma të fjetuna të ndërgjegjes për hatër të fasadës,për hatër të opinionit,për hatër të fëmive,per hatër të nanës e babës që s’kanë si me i thanë kojshive se sa e palumtun asht vajza e tyne,për hatër te fotografisë familjare në fund të vitit ku gratë i buzëqeshin fiktivisht aparatit gati për shkrepje e menjëherë mbas pozës me muskuj të sforcum buzëqeshja u shkapetet në tokë.

80% e grave shqiptare (përqindje e mbajtun me shumë hatër, guxoj me thanë pa rezerva) jetojnë me orën e një realiteti të kurdisun nga marrëdhanie të sëmura, abuzive dhe fatkeqësisht tipike shqiptare…marrëdhanie të prejardhuna nga fraza klasike: ”ti je gruaja, unë jam burri e si rrjedhojë do të bahet kështu, sepse kështu them unë dhe pikë”.
Kjo mbivendosje e pushtetit gjinor zeron komunikimin, e shndërron bashkëjetesën në një akt mekanik, të shterptë ku burrat janë dominatorët e çdo shqise, krijon individë të mbërthym nga frika dhe amputon çdo ceremoni lirie. Kjo origjinë e përbashkët i ka ba jetët tona po aq të përbashkëta.

Gratë shqiptare janë gra te palumtuna sepse nuk janë të lira,sepse nuk u njihet as lufta për liri,sepse liria u kallëzohet si një ndjenjë egoiste,hamshore,e ligë,e egër,e pahijshme për portretin dhe natyrën e tyne të qetë.
Nuk janë të lira as në atë që supozohet të jetë streha e dashnisë dhe paqes,pra shtëpia,familja,prindërit tek të cilët duhet me dhanë llogari plurale për çdo dalje të mundshme nga bunkeri,një llogari që shkon përtej rregullave normale të bashkëjetesës familjare dhe prej te cilës magjikisht përjashtohen djemtë dhe burrat.
Nuk janë të lira të zgjedhin vetë,aq ma tepër nesë këto zgjedhje kundërshtojnë apo devijojnë traditën familjare.Nuk zgjedhin vetë profesionin (zakonisht vajzat orientohen qysh heret drejt karrierave të buta,pa shume bujë,pa tërheqje vëmendjeje);as besimin fetar (pjesa dërrmuese trashëgojnë pa shumë nerv religjionin e prindërve);as bindjet politike (tifozlleku partiak shqiptar nuk asht personal,por kolektiv,publik dhe i zhurmshëm)
Nuk janë të lira të frekuentojnë djemtë pa u përfshi nga dallga e thashethemeve që kapërcejnë qytetin me shpejtësinë e dritës apo pa u ndi të detyrume të shpallin (zyrtarizojnë) pa humb kohë (pa dal nami)një lidhje dashnie,qoftë kjo edhe në fazë embrionale.
Nuk janë të lira as kur martohen sepse kalimi moral nga ”vajzë” në ”grua” asht i dhimbshëm.Taksa e llogarisë transferohet nga një burre tek tjetri,nga babai tek bashkëshorti dhe (jo rrallë) tek e gjithë flota familjare e këtij te fundit.Gruaja,sapo lyen me mjaltë pragun e shtëpisë së re,merr mbi shpatulla presionin e imazhit.E pastër,punëtore,e devotshme,e shkathët,multifunksionale,gruaja katapultohet nëpër binaret e nusërimit të përjetshëm.
Nuk janë të lira si nana sepse te bahesh nanë në Shqipni do te thotë të harrosh kush ishe dhe si ishe,të mbledhësh gjithë ekzistencën tande në një krijesë të vetme dhe përtej saj gjithçka të përpihet nga terri e akulli.S’fryn erë tjetër ndër flokët e nana shqiptare, veç frymës së bijve. Mishit i vdes epshi, mendjes i shtohen mure të trasha, kambve i ik vrapi. Edhe flirtimi me burrin tand ngjall dyshime hollywood-iane.
Nuk janë të lira as si gra te divorcume apo në proces divorci.Burri ka të drejtën e plotë të rindërtojnë ose të aventurojnë jetën e tij siç ia don kokrra e qejfit sepse burrit nuk ia numëron kush ”mëkatet” kurse gruaja lyhet edhe njëherë me bojën e pashlyshme të turpit nëse vendos të ”futet” në shtratin e dikujt tjetër.Pse?Sepse konsiderohet nanë e dështume,grua e dështume,bashkëshorte e dështume e cila meqë nuk ishte në gjëndje me mbajt familjen harmonikisht bashkë dhe me i dhan të shoqit të disatin shans,sipas opinionit par excellence shqiptar,vendos me ia hap kambët te parit qe i del para.Ideja që gruaja te dashurohet ma shumë se një herë,të martohet ma shumë se një herë dhe të ketë një jetë seksuale aktive,neverit dhe irriton pjesën ma të madhe të popullit tonë shenjtor (veç në dukje)
Nuk janë të lira as kur vdesin sepse nëpër gojën e mëhalles vazhdojnë të sillen si kafshatë e madhe për fytin e tyne të vogël,lloj-lloj historish post-mortem që inskenojnë një biografi alternative për të ndjerën,një biografi të cilës ajo s’mundet me i dal ma zot.
Nuk janë të lira as atëherë kur vendosin të qëndrojnë vetëm,të jetojnë vetëm,të prindërojnë vetëm ose mos të bahen nana fëmijësh,sepse gra të tilla ngjallin frikën e epidemisë së ”degjenerimit” gjinor,ndërpresin rrjedhen natyrore të jetës,thyejnë mitin e nevojës absolute që një grua ka për një burrë (edhe për ma të keqin).

Gratë shqiptare janë të palumtuna sepse janë gjithmonë gratë e dikujt. Kanë gjithmonë një tutor mbi krye që i dikton të vishen aq sa mos me ra në sy; të lyhen aq sa të mos duken si prostituta; të flasin aq sa mos të duken llapazane; të qeshin aq sa të mos duken qesharake; të porosisin ujë dhe jo venë; të rrinë nën shoqninë e grave dhe mos të përzihen ma shumë se në një përshëndetje të rrufeshme me burrat e tjerë; të lavdërojnë në sy të të tjerëve fëmijët e mbarë (të parët e klasës padyshim); të krenohen me familjen e shëndoshë që gëzojnë; të flasin për perdet e reja që kanë ble në një dyqan mallrash italiane; të mbushin mendjen e botës se nëse kanë arrit diçka në jetë asht falë mbështetjes absolute të prindërve dhe bashkëshortit perfekt sepse ndryshe vetëm nuk do t’ja kishin dalë kurrë; të refuzojnë ftesën e kolegut burrë për kafe në punë; të parfumosin ajrin me frymën e vajzes së ”mirë” shqiptare të gjithëpërfshirë nga tradita, zakonet dhe të gatshme për t’ju dhanë atij burri i cili jeton akoma me nanë e babë,që nuk shpjegon dot pse rrobat me ngjyra lahen veçmas nga ato të bardhat dhe që ka alergji imagjinare nga hekuri me avull.

Gratë shqiptare janë gra të palumtuna sepse jeta e tyne asht një limonadë që nuk zbut kurrë etjen e lirisë;asht një orgazëm e tejzgjatun, e tejshtirun….një rol i luajtun aq imtësisht, sa nuk i ndahet ma lëkurës e as arsyes.
Nuk besoj se nuk ka grua shqiptare që nuk ka hek dorë nga një andërr, një mundësi, një projekt personal apo profesional, vetëm sepse ka pas fatin me lind me mitër,vaginë dhe gjoks në zmadhim e sipër,prandaj janë të dënume me koleksionu pengje dhe jo suksese.Që të jesh hyjnore dhe të meritosh lavde,serenata dhe një vend në tavolinë nuk duhet të jesh thjesht grua,por të sillesh siç DUHET të sillet një grua.

Gratë shqiptare janë gra të palumtuna sepse pajtohen me planin që shoqnia i ka rezervu pa ndez shumë polemika dhe zbathen nga vetja po aq lehtësisht sa heken sytë nga një fustan i papërballueshëm ekonomikisht.Janë gra që mbarojnë ç’ka kanë në pjatë, për mos me u duk keq.
Pranojnë çdo plagë sepse ”ky ishte rrisku”.
Kanë duart e tyne në fyt e ky autlezionizëm për hir të të tjerëve i përthith, i tëhuajëzon, i tkurr.
Palumtunia shpallet si gjëndje e zakonshme, pronë e pashitshme dhe dalja prej saj propagandohet si një shteg naiv, utopik, i predestinum mos me ndodh kurrë. Janë gra në prag. Gra që presin diçka me vetëdijen e stërplotë që s’ka me u duk kurrë.Gra të udhëzume me pretendu heshtjen si notën ma të naltë ne rregjistër.

Gratë shqiptare janë të palumtuna sepse vijnë nga palumtunia dhe drejt palumtunisë mësohen të shkojnë…

P.S Ky nuk asht shkrim pesimist.E vërteta nuk asht kurrë pesimiste.

#photofromtheweb

One thought on “Gratë shqiptare janë gra të palumtuna.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s