Fakti që kjo fotografi mund t’i shkaktojë dëme celebrale të konsiderueshme burrnisë shqiptare,tregon qartë se sa e “ndjeshme” bahet kjo bishë e dalun nga barku i traditës kur dikush e prek aty ku s’duhet.

Them fakt sepse për një patriark shqiptar,i cili krekoset si gjeli me parullen “jam burrë e mrapa më vjen sedra”,asht impulsivisht e paimagjinueshme/papranueshme/palejueshme që fëmija i tij mashkull/djalë/trashëgimtar me lujt me kukulla,me i mbajt ato publikisht në krahë apo me shty një karrocë loje në sy të botës.E nëse kësaj “çmendurie” i shtojmë edhe ngjyrën rozë,skandali merr dhenë.

Nëse dëshirës së vajzave të vogla për lodra atipike,si kamionët apo shpatat,u kalohet sipër me një sy mbyll e një hap,për djemtë fëmijëria e hershme asht një Alkatraz ndjenjash,një laborator funksional në të cilin djemve,ndërmjet atyne lodrave që shprehin pushtet e forcë,u mësohet si të ndërtojnë muskuj,si të jenë të pamshposhtun dhe si t’i ngjajnë heronjve.
Djemtë përgatiten të jenë makina pune,parash e qejfi ndërkohë që si gjithmonë,thertorja e traditës,vret çdo mimikë të mundshme sensibiliteti dhe butësie.
Prandaj burrat nuk duhet të qajnë,të shohin filma romantikë apo të bajnë punë të rëndomta shtëpie…sepse dobësinë,punën e lehtë fizike apo emocionet e pakontrollueshme ,tradita ua ka nda për hise grave.

A asht turp të jesh baba?Jo.Atëherë pse duhet të shitet si turp ideja që një djalë i vogël të kujdeset për kukullën e tij ashtu sikurse në një të ardhme do kujdeset për femijët e tij?Nëse familja asht kaq e shenjtë sa thuhet,pse një nane të devotshme mos t’i afrojmë një babë po aq të përgatitun?Pse duhet të gay-izohet me përçmim(lexo:të jesh gay në Shqipni asht sikur të jesh xhihadist në Amerikë) një krijesë aq mrekullisht vetvetja pse shijet e tij të lojës janë të ndryshme nga ato të të tjerëve ?Pse duhet t’i ushqehet bindja se po të mos jesh si të tjerët,po të mos duash si duan ata,po të mos mendosh siç mendojnë ata,atëherë je gabim?
Pse prindërit,në vend që të frymëzojnë modele të lira dhe të pavaruna,përçojnë me insistim ndarjen e roleve gjinore,edhe nëse kjo shkon kundër vullnetit të të voglit/voglës?
Kjo ndodh sepse mendimi i botës vlen ma shumë se lumturia e fëmijës.Pikë.

Në përgjithësi,në ato vende ku kultura seksiste dhe diskriminuese luftohet në shumicë,nëse fëmija zgjedh nga rafti i dyqaneve një lodër që bie ndesh me propozimin e prindit,ky i fundit nuk alarmohet si tirani kur i rrëshqet pushteti nga kontrolli,por pranon zgjedhjen e fëmijës pa paragjykime.
Nëse një episod i tillë ndodh tek ne,përgatituni të shihni një skenë ku prindi(babai në veçanti)rrëmben me furi lodrën nga duart e fëmijës dhe në tërbim e sipër (me raste mbas një shpulle qëllimisht “edukative”) nxjerr fjalët magjike:-Je djalë ti!Djemtë nuk kanë punë me lodrat e vajzave (e kundërta,gjithashtu).

Ne,të rritunit,mund t’u japim shumë fëmijëve,aq sa edhe mund t’u marrim,njëkohësisht.Kjo asht arsyeja pse midis prindërimit dhe riprodhimit ka një dallim thelbësor.Prandaj mos i krahasoni fëmijët tuaj me fëmijët e vëllait,motrës,komshisë apo një të ftuari në një studio televizive.Mos ua mohoni të drejtën me kenë vetvetja.Mos ua bani botën gjyq e njerëzit gjyqtarë.Nëse u mësoni dashninë me vepra dashnie,keni fitu të gjithë.

Një fëmijë(qoftë vajzë apo djalë) që edukohet me një ndjenjë të lartë empatie dhe përgjegjësie karshi kukullave,kafshëve prej pelushi dhe kafshëve të gjalla,natyrës,luleve në ballkon apo mirëmbajtjes së kandeve të ndryshme shtëpijake ka shumë gjasa që nesër të bahet një njeri emotiv,paqësor,i hapun,i organizum,pa paragjykime dhe i lirë mendërisht,shpirtnisht dhe seksualisht.

Prandaj nëse mendoni se ka diçka që nuk shkon në këtë fotografi,më vjen keq t’ju them se me siguri ka diçka që nuk shkon me ju.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s