Vazhdoni të luftoni motra!

Më vlon shpirti nga krenaria kur marr vesh se edhe vajzat e zonave rurale,aty ku thonjtë e bishës patriarkale janë ma të mprehtë se kudo,kanë çliru guximin nga kafazi duke kundërshtu pasionalisht ligjet e një tradite poshtëruese.

Si përshembull rasti i një prej kushrinave të mia,maturante dhe me një dëshirë mallëngjyese për vazhdimin e studimeve e cila me kambngulje të gjallë e preu në mes përpjekjen e familjes për ta ekspozu,siç ban kasapi me mishin e freskët, para një djali të ardhun nga jashtështetit qëllimisht për me peshku një “nuse për shtëpi”.
Lufta e saj,e ngjashme me luftën tonë,kaloi nëpër debate të egra,nëpër tunelet e presionit psikologjik e deri tek vetmia dhe izolimi,sikur të ishte një kafshë e pazbutshme dhe e rrezikshme për jetën e banorëve përreth.
Megjithatë,në fund,edhe pse i sfilitun,zani i saj nuk pranoi me vdekë.

Ajo i tha JO një fejese të mundshme por të padëshirueshme.
Ajo i tha JO një organizimi të mbrapshtë ku njohja para zyrtarizimit zgjat dy takime(me prindërit e ulun në tavolinën përballë),takime që në fakt u shërbejnë ma shumë familjarëve se vetë çiftit.
Ajo i tha JO një kontrate të mirëfilltë ku zakohet,detyrat dhe përgjegjësitë celebrohen me dolli rakie e ku dashnia konsiderohet si efekt anësor.
Ajo i tha JO një sistemi të sëmurë që vajzat i shet tek kandidati me xhep ma të fryrë.
Ajo i tha JO një kulture primitive sipas të cilës vajzat e shkollume shndërrohen në gra të lira,kryengritëse,të pavaruna e kësisoj çakordojnë pushtetin absolut të burrit.Gratë nuk mund të ecin vetë.Gratë nuk mund të dalin para burrave.Gratë e kanë vendin tek burrat e burrat e kanë vendin ku të dojnë.
Ajo i tha JO një avazi të pështirë ku djemtë mbasi kanë shëtit tanë bordellot e Europës vijnë të zgjedhin një vajzë të virgjër,të urtë e punëtore e cila do jetë mitra e shëndoshë e pasardhësve të mbiemnit të tij e ku vajzat,nga ana tjetër, privohen nga shkolla,nga familja,nga rinia për t’i shërby kësaj skeme rrënqethëse.
Ajo i tha JO një teatri ku vajzat dhe gratë luajnë rolin e heshtjes,ku fjala e tyne ban vrima në ujë,ku martesa elozhohet si arritja ma e madhe e ku andrrave iu këputet kryet sa dalin në dritë.
Ajo i tha JO një plani monstruoz ku të gjithë zbaviten e jargaviten duke kafshu e gjymtu të ardhmen e një vajze,gulçimi i të cilës nuk figuron askund.

Prandaj duhet të flasim,të shkruajmë,të informojmë papushim vajzat dhe gratë kudo që ndodhen,nga maja e Malësisë apo te lokalet luksoze të qytetit,mbi të drejtën legjitime me kundërshtu shtypjen,diskriminimin dhe skllavërinë e organizume…duke fillu pikërisht nga habitati i gjenezës,familja.
Prandaj duhet të protestojmë në shumicë e jo të ngushëllojmë me keqardhje.
Prandaj duhet të marshojmë për drejtësi e jo të lypim mëshirë.

S’po kërkojmë me na ba nder dikush,prentendojmë atë që na përket:dinjitet e barazi!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s