Mbretnia e shtypit apo e shtypjes?

Akuza jeme ndaj pjesës ma të madhe të portaleve shqiptare (për mos me thanë të tanve)asht e drejtpërdrejtë,faktike dhe e pazmbrapshme nga asnjë kërcënim a pasojë.
Si njeri që fjalën e ka si bukën;si ushtare e të vërtetës;si grua,si feministe,si aktiviste nuk mundem dhe nuk du të rri urtë e butë në karrigen teme pa u shqetësu për atë që ndodh në karriget e tjera.

E indinjume,e neveritun dhe e prekun në telat ma të ndjeshëm,personalisht dënoj punën e dështume të portaleve tona(veçanërisht në rubrikat rozë) të cilët informimin,edukimin dhe argëtimin e kanë dhunu e sakatu me një gjuhë të turpshme,seksiste,tallëse,fyese,cënuese që vendin e ka në një sallë gjykate e jo në pjatën tonë të përditshme.

Mbretnia e shtypit sot asht shndërru në mbretninë e shtypjes.Shet forma,fotografia,titulli dhe humb përmbajtja,fakti,argumenti,fjalia.Lajmi vidhet pa të drejtë autori,tjetërzohet,i shtohet miell e ujë simbas kohës e dëshirës dhe përplaset sa majtas,sa djathtas në kërkim të dëshpërueshëm vëmendjeje.Ose shpiket.Merret një emër i njoftun,i kontrollohet facebooku dhe instagrami,i studiohet profili për pak sekonda dhe në bazë të fotografive hartohet historia e përsosun për një lajm me zhurmë nga mrapa.
E të mendosh që shumica e këtyne çezmeve me bollek llumi,asht themelu e drejtohet nga gazetarë të mirëfilltë,nga ata që gazetarinë e kanë të provueshme me diplomë shkolle;nga gazetarë që Shqipnia i quan ajka;nga ata që kanë ba xhiron e ekraneve ndër vite duke mbajt lart një curriculum me zotësi të meritume por që kur zbuluan që rrogës së ekranit mund t’i bashkangjitej një tjetër,vendosën të baheshin vetë Zot i shtëpisë virtuale të lajmeve.Deri këtu asgja të gabume s’ka.Një shoqni teknologjike kërkon një lajm të shpejtë dhe portali zbaton urdhnin…por a e justifikon deformimi informativ luksin e shpejtësisë?A mbajnë përgjegjësi këta individë për “mallin” që del nga fabrika e tyne?A kanë një staf që filtron lajmet?Nëse po,cilat janë kriteret e tij?
Fatkeqësisht,si gazetarët me famë e si gazetarët e tastierës,janë shndërru në kasapë e zyrat e tyne në thertore…s’ka randësi ma freskia e mishit,mjafton që mishi me u shit.

E si gjithmonë,në këtë luftë barqesh,gruaja vazhdon të përdoret si stimuluese oreksi.Trupi i saj vazhdon të jetë titulli ma i klikueshëm.Jeta e saj,një pre e ngathët.Biografia private,një tokë kërkimesh me natyrë seksuale.
Dikund gruas i shahen kambët,dikund tjetër i diktohen alternativat e të shtunave (siç i ka hije një gruaje të mirë),ma poshtë lajmi i një agresioni merr tjetër përmasë kur zbulohen fotografitë joshëse të njenes nga protagonistet,për me vazhdu me histori krevati ku prapë gruaja merr skenën,tek recetat e bukurisë,tek dashnorët,tek etiketat apo tek shfryrjet e instagramit.
Në po të njajtën faqe ku flitet për një grua të vrame nga i shoqi,lehtësisht gjen një grua që mundohet të fshehin celulitin.Ku asht lajmi këtu?Cila nga fjalët seks,aksion shtëpie,marrëdhanie treshe,metoda e bukurisë,Vipat dhe celuliti,kambë jotërhekëse,të shpërndame brenda fjalive kotësisht,pa kuptim veçse për vëmendje,si kontribuojnë në interesin tonë?Çfarë roli tjetër luajnë veç atij të grepit?

Gazeta të udhëhequna nga gratë denigrojnë gratë…për peshën,për trupin,për veshjet,për pasionet,për mendimet,për pushimet,për fëmijët,për mëmësinë,për plakjen,për rrudhat,për photoshopin.Pse?Pse lajmi nuk asht lajm nëse për të nuk persekutohet një grua,si e gjallë e si e vdekun?Pse zgjidhen fjalë të egra e poshtëruese kur i njejti lajm mund të përcillet ndryshe,pa vra askend?Pse tregtohet liria në këtë mënyrë?

Kushdo ka të drejtë të jetojë dhe ekspozojë atë që do por portalet nuk janë thjesht kushdo.Kanë përgjegjësi si mjetet kryesore të informimit publik.Me “armët” tona ata mbledhin kapital.Prandaj shpërdorimi i detyrës asht lehtësisht i dallueshëm dhe batuta “kështu bajnë të gjithë”,në emën të lekut,nuk i shërben asnjë justifikimi logjik.

A duhet t’i censurojmë lajmet e “lehta”?Absolutisht jo.Unë jam pro rubrikave rozë dhe pro respektimit të kureshtjes së publikut për personazhet e tij të dashtun por nga ana tjetër ka etikë,gjuhë,përgjegjësi dhe profesionalizëm,që jo gjithmonë mbahen në duar të sigurta.
Lajme seksiste,provokuese,diskriminuese dhe bulliste,të gjuajtuna si copa mishi sekond mbas sekondi,nën hundën e një shoqnie meskine,patriarkale dhe në thelb të dhunshme,ndërtojnë modele krejtësisht të gabume,miq e armiq imagjinarë dhe një luftë gjinore reale…një luftë që dita ditës mbush kronikën tuaj të zezë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s