Ana tjetër e medaljes:gratë për të cilat nuk flasim.

Vajzat dhe gratë e Shqipërisë nuk janë vetëm ato që shohim në ekranin e televizorit,në rrjetet sociale,në korridoret e shkollës apo në pedonalen e qytetit.
Vajzat dhe gratë e Shqipërisë janë edhe vajzat e gratë e Komuniteteve;vajzat e gratë që punojnë tokën në fshat;ato që zgjohen e flejnë në zona të izoluara malore ku edhe zhurma e një makine përbën lajm.
E ndërkohë që ne,pa e ditur sa me fat jena,flasim për modë,kopertina e filtra,vajzat e gratë e këtyne realiteteve përballen me ligjet e një jete të gatshme,të paramendume,ku liria dhe zgjedhja paguhet me dhunë e nënshtrimi paguhet me martesë…si e vetmja “aventurë” e mundshme.

Vetëm pak kilometra larg Shkodrës,në rrethinat e saj,asht krejt e zakonshme që një vajzë 13-14 vjeçare të marrin kërkesat e para për fejesë nga miq apo familjarë të djemve-burra mbi moshën 25.E sidomos nëse zhvillimi fizik i vajzave bie në sy shpejt,mosha bjen në harresë.
Sapo vajza ”bekohet” me ardhjen e menstruacioneve,konsiderohet grua,dhe si e tillë shndërrohet në një pre të freskët për oreksin e atyne burrave që shëtisin nga shtëpia në shtëpi në kërkim të nuses ideale.Ideale do te thotë e urtë,e nënshtrume,e gatshme me mbajt jo vetëm burrin,fëmijët që do vinë shpejt por edhe vjehrrinë e kunetërit.Nga shtëpia e babait,që tjetër nuk asht veçse një vatër tranzitore ku vajza armatoset me nder,bindje dhe aftësi pastrimi e gatimi,katapultohet në vendin e duhur për një grua sipas traditës:shtëpinë e bashkëshortit.
Pak a shumë si rrugëtimi i një skllaveje nga një pronar në tjetrin,sipas një kontrate ku të gjithë përfitojnë përveç saj.

Këto nuk janë legjenda metropolitane por një plagë e hapun në gjoks të një vendi që klith dëshirën me iu bashku Europës me një kulturë tribale si pasaportë.
Fenomenin e martesave të parakohshme unë e kam pa me sytë e mi,që nga ardhja e ndërmjetësit në shtëpi,te dalja e vajzës në oborr kur prej së largu e shihnin djali me familjen e tij për të kuptu a ia vlente vizita prezantuese si hap i matejshëm,te shkëputja e fjalës nga të dyja familjet,njohja telefonike në distancë mbas shpalljes së fejesës,te dita e dasmës,ku emocionin e lumtunisë e zevendëson frika e vajzës nga nata e parë që e pret me një trup të huaj.

Gjeografikisht,sa ma lart të ngjitesh,sa ma thellë të hulumtosh,këto kontrata martesore nuk çudisin askënd.Ky asht normaliteti për to…për familje të varfna,të paarsimume,të rregullume me ligjin e Kanunit,për të cilat të nxjerrësh nuse vajzën do të thotë ta shpëtosh nga fjalët e hallkut,të kesh një gojë ma pak për me ushqy e një problem ma pak mbi krye…sepse vajza trajtohet si barrë,që mezi pret t’ja kalosh tjetrit.

Edhe sot,mbas 8 vitesh qysh kur jam shkëput fizikisht nga kjo masakër nën dritën e diellit,pak e aspak gjana kanë ndryshu.Për mos me iu mbet vajza në derë,prindërit vazhdojnë të joshen kollaj nga një dhandërr ekonomikisht në gjendje,nga një biografi familjare e mirë, premtime romantike në ajër dhe sakrifikojnë shkollimin,shëndetin dhe lirinë e vajzave të tyne sikur t’i kishin tepër.Vazhdon prapë rrjedha e nuseve të premtume me fjalën e dhanun si garanci juridike.Vazhdon llava e fejesave me shkuesi.Vazhdon ndërprerja e shkollimit të vajzave dhe izolimi i tyne mbas derës së shtëpisë.Vazhdon injorimi i mendimit dhe censurohet shprehja e tij,vetëm për vajzat.Vazhdon teatri i traditës plot spektatorë nën komandë.Vazhdon hendeku i madh i diferencës në moshë.Vazhdon mohimi i lirisë së zgjedhjes për vajzat.Vazhdon shitja e tyne tek pretendenti ma i lakmueshëm.Vazhdon lidhja e martesave ilegale ndërmjet një burri të pjekun e një vajze minorene.Vazhdon konsumimi i marrëdhanieve seksuale me të mitura,si pasojë e martesës,ku pasiviteti i vajzës dhe ndërgjegjësimi se tashma ajo i përket burrit të saj,interpretohet si konsensus dhe i shpëton akuzës së pedofilisë (teorikisht)
Vazhdon dhuna,shtypja dhe diskriminimi gjinor i justifikum si i domosdoshëm për stërvitjen e vajzave të mira dhe prodhimin e bashkëshorteve të mira.

Në gjithë këtë hemoragji faktesh,ku fshihet shteti?Po ligji?Po drejtësia?Po organizatat e grave?Po media?Po shtypi?
Kush ua kthen jetën mbrapsht këtyne vajzave?Kush i mbron?Kush flet për to?

Prandaj,të hekuna qafet prej familjes,të mbajtuna nën kambë të bashkëshortit,të nguluna në një vend ku divorci asht turp dhe kthimi tek baba mort;pa shkollë,pa punë,pa eksperiencë,këto vajza janë të detyrume me iu ba shpindë çdo dhune,përuljeje,keqtrajtimi dhe stërmundimi…sepse ngado sillen nuk gjejnë asgja tjetër përveçse mur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s