Pyetja që s’duhet t’i bahet kurrë një gruaje.

Nuk ka pyetje ma të pandjeshme, ma të pasjellshme, ma trazuese, ma të sikletshme, ma të pavend dhe ma pak inteligjente për një grua sesa pyetja : Kur do na e bash një fëmijë?

Kam kohë që dua ta them.

Kam kohë që dua ta shkruaj.

Kam kohë që dua ta diskutoj me ata që pa pikën e delikatesës dhe pa gramin e vetkontrollit kërkojnë llogari mbi lajmet e reja rreth trupit tem.

Pse nuk e kam ba? E para sepse sa herë kam drejtu anijen e mendimit në këto ujëra, kam rreziku me u mbyt prej akuzave si hatërmbetëse, si ekzagjeruese, si ajo që sheh molla të kalbuna në çdo shportë veç sepse don me pas gjithmonë diçka me thanë, veç se don me triumfu me fjalën e fundit në tavolinë.

E dyta sepse edhe për mu, si për shumë gra të tjera, konflikti midis zgjedhjes së lirë dhe imponimit të roleve brenda një kulture që grave ua varros emocionet e paautorizume nën shtatë lëkura, nuk asht aq i lehtë me u zgjidh me dy duar.

Qysh në barkun e nanës, qysh në ekografinë e parë, qysh në veshjen e parë, lojën e parë, fjalët e para, modelin e flokëve, ngjyrën e rrobave, detyrat e para, mundësitë e para, kufizimet e para, nis propaganda gjinore e ndërgjegjësimit, edukimit, sakrifikimit dhe fabrikimit të fëmijëve në fëmijë-djem e fëmijë-vajza. Pabarazia, kjo gjendje që ndëshkon jetën tonë duke e vra pak nga pak, me goditje kaq të shpeshta sa pothuajse normale, me na e trashë lekurën dhe programu mendjen, lind jo me sytë, krahët e kambët tona, por me gjininë tonë, me një short natyror të pakontrollueshëm, me një aparat gjenital që përcakton ekzistencën e secilit prej nesh në mënyrë të pakthyeshme.

Kështu, mbas teknikave bazike të nxehjes gjatë fëminisë, fillon stërvitja e vërtetë e grave në dhomat e shtëpisë dhe liria e burrave jashtë saj, aty ku fitohet leku, suksesi dhe pushteti.

Rreth të njëzetave, ne grave, na kërkohet të gjejmë një burrë, të rehatohemi, të jemi gra të një shtëpie tjetër, të fitojmë statusin e bashkëshortes, sa nuk asht shumë vonë, sa mos të na venitet freskia e moshës, sepse nuk kalohet jeta vetëm e aq ma pak në derë të prindërve, aty ku vëllai pritet të sjellin nusen e tij dhe ku vendi yt do ngushtohet gjithmonë e ma shumë, derisa të shndërrohesh në barrë.

Rreth të tridhjetave, barku jonë njeh periudhën e artë të vëmendjes dhe kuriozitetit. Na kërkohet të respektojmë orën biologjike, atë orën me akrepa vezoresh dhe tik-take të kufizume; t’i kthejmë përgjigje pozitive instiktit tonë hyjnor; të përmbushim rolin kryesor nga i cili dhe për të cilin jemi kriju; të shkarikojmë një aplikacion të besueshëm në telefon që na tregon ditën fatlume të ovulacionit dhe t’i përvishemi punës… të marrim ngritjen e shumëlakmume në detyrë, nga gra të thjeshta,në nana.

Rreth të dyzetave, na kërkohet të tërhiqemi nga skena në maje të gishtave, t’ua lëshojmë dritën dhe publikun “ma të rejave”, të kujdesemi për të tjerët dhe të harrojme veten.

Unë personalisht jam në fazen e dytë. Preja e përsosun për oreksin e kuriozëve. Grua pothuajse 30 vjeçe, bashkëshorte një një marrëdhanie të gjatë, me mure të sigurta, me kushte ekonomike të mjaftueshme për përballimin e një fëmije. Çfarë dua ma shumë? Çfarë pres? Pse s’kam fëmijë? Kur do i kem? A po përpiqem mjaftueshëm?

Seç ka një si pakt të heshtur ndërkombëtar të çifteve me fëmijë për të zgjeru rrethin prindëror duke reklamu jetën e tyne, si prezantimi i një produkti me PowerPoint,e duke shkel kufinin e privatësisë së shtratit, me ofertën : pse s’baheni edhe ju si ne?

Kudo, kurdo, nga familjarë e të panjohun, ndërmjet një telefonate apo gjatë një darke të zakonshme me miqtë, në punë mbas lajmit të shtatzanisë së koleges apo ne bashkimet festive të përvjetshme me farefisin, pyetja mbi ardhjen e një fëmije,shpesh me një ton padurimi dhe nervozizmi sikur shtatzania të ishte një spektakel që po vonon transmetimin, asht ma e shpeshtë se debatet mbi kryeministrin.

Herën e parë, shumë pak kohë mbas fillimit të bashkëjetesës me partnerit tem, që më kanë pyet kur do kem një fëmijë, kujtoj të kem qesh e të kem ul sytë si e xanun në faj.Isha njëzet vjeç asaj kohe, studente, ditën mësoja pa u ndal e natën shkruaja poezi, isha në zbulim të vetes e as që ia kisha idenë se çfarë doja nga jeta dhe pse. 

Herën e dytë kujtoj të kem ndjerë siklet e faqet në flakë.

Herën e tretë kujtoj të kem ndrru argument.

Herën e katërt kujtoj ndjesinë e zierjes së gjakut e ta kem ndal veten.

Herën e pestë kam përjetu dhimbje, një ndër ato dhimbje që të përhapen në trup me pushtet paralizues e mbasi kryejnë inspektimin e çdo grushti mish, të braktisin, me një ndjesi neverie, zemërimi dhe pafuqie që don kohë, ndoshta vite me u zbut… një ndër ato dhimbje, që vetem një grua mund të kuptojnë…një dhimbje që në sqep ka një letërnjoftim të pangatërrueshëm: mitra jote asht ma e randsishme se goja jote, se mendimi jot, se liria jote.Gjithë këto ndjenja, nga sikleti, tek turpi, tek faji, tek pasiguria, shmangia dhe dhimbja, shkaktohen pikërisht nga një pyetje, që edhe pse jam e vetëdijshme, e bindun që shpesh nuk vjen me asnjë ligësi apo keqdashje, mbetet e gabume, thellësisht e gabume.

Mbasi (shpresoj) të keni kuptu si ndihet një grua përballë një pyetje të tillë për të cilën nuk shprehu dëshirën të fliste, hapi i fundit dhe jo ma pak i randsishmi për të kuptu pse duhet ta arkivoni njëherë e përgjithmonë këtë ndërhyrje të dëshpërume, asht të lexoni, të kuptoni dhe të pranoni arsyet pse duhet ta zevëndësoni urgjentisht këtë pyetje me një tjetër. 

Ka gra që po përpiqen shumë të kenë fëmijë, në rrugë natyrale, mjekësore apo eksperimentale dhe fëmija nuk po vjen prandaj pyetjes juaj jo vetëm që nuk do dinë si t’i përgjigjen por do ndihen në anën e gabume të botës; do ndihen fatkeqe, me diçka mangut, të paafta me ju dhanë një lajm të bukur e kësisoj edhe inferiore.

Ka gra që nuk mund të kenë fëmijë pavarësisht dëshirës së madhe për ti pas sepse fizikisht,ato ose partnerët e tyre burra, vuajnë nga steriliteti ose nga probleme të tjera shëndetësore që sjellin ndër shumë pasoja edhe pamundësinë riprodhuese. Në këtë rast pyetja juaj jo vetëm prek një plagë të hapun pa leje e pa kujdes, por bjen me vete edhe një ndjenjë që askush nuk don me provu mbi veten: mëshirën.

Ka gra që kanë abortu. Ka gra që fëmijët i kanë humb. A jeni të sigurtë që doni t’i pyesni për tentativën e rradhës?

Ka gra që thjesht nuk duan të kenë fëmijë për arsye personale, ekonomike, sociale, psikologjike, arsye që nuk na përkasin, arsye që nuk duan publik por privatësi. Këto gra përdorin me të drejtë, të njajtën liri me të cilën të tjera gra vendosin të bahen nana. Pra, nëse ju, prindër, keni vendos bashkarisht, me arsyen në njënen dorë e dashninë në dorën tjetër, të sillni në jetë fëmijët tuaj sepse kjo asht dëshira juaj, plani juaj për jetën, figura që ju plotëson pikturën e lumtunisë, atëherë lumtunia juaj asht rrëzellitëse por jo diktatoriale. Mësoni të respektoni dëshirat e të tjerëve, edhe pse janë absolutisht të kundërta me tuajat.

Ka gra, sikurse ka edhe burra, që nuk ndihen gati të marrin përsipër rolin e prindit, sepse ndoshta janë ma afër se kurrë në realizimin e tyne profesional dhe nuk duan të rrezikojnë momentalisht vite studim, shkollë, kërkime e sakrifica ose gra që janë ende në kërkim të vetes dhe të një qëllimi që në fund të ditës i ban krenare dhe andrrimtare ose gra që zgjedhin karrierën, vetminë apo një tjetër përkufizim familjeje që nuk përfshin një fëmijë në të. Respektojini këto gra, bashkë me gratë e tjera. Respektojini duke fillu nga pyetjet që NUK duhet t’u bani.

Ka gra që nuk janë të sigurta për ndjenjat dhe marrëdhaniet e tyre sentimentale mendojnë gjatë para se të veprojnë shkurt.

Ka gra që jetojnë me burra të dhunshëm, të paaftë për t’ju përgjigjur bashkëjetesës dhe detyrimeve të saj, prandaj kanë për të zgjidh probleme ma të mëdha sesa t’ju përgjigjen pyetjeve tuaja të vogla.

Ka gra që vendosin të mos kenë një fëmijë të dytë.

Ka gra që vendosin të mos kenë një fëmijë të tretë,të katërt e me rradhë.

Ka gra që vendosin të mos kenë as një fëmijë të parë.

Ka gra që VENDOSIN. A e kuptoni këtë fakt kaq elementar sa edhe pashpjegueshmërisht të vështirë?

A kuptoni që ka burra që gjenden në të njajtin kurth shoqëror dhe që detyrohen të ndahen nga gratë e tyre kur këto nuk arrijnë t’u japin fëmijë, trashigimtarë, për të shpëtu virilitetin personal.

A e dini se ka gra që i shtyjnë burrat e tyre të kërkojnë të tjera gra ma pjellore për të kriju familje sepse ndihen në faj, ndihen të dëmtume, të dështume, sepse kështu u kanë thanë në vesh gjithmonë e kjo nuk asht e drejtë, nuk asht njerëzore, nuk asht dinjitoze.

A e dini se ka gra që nuk duan fëmijë por bajnë sikur duan fëmijë dhe lindin fëmijë sepse mendojnë se ka diçka që nuk shkon me to dhe si të vetmen zgjidhje shëruese shohin sfidën me veten, pavarësisht pasojave dërrmuese?

A e dini se ka gra të ngujume në martesa të palumtuna, me burra dhunues që lindin fëmijë, duke besu dhe shpresu në këshilla përçudnuese popullore që “fëmijët i zbusin burrat”?

Jam kaq e lodhun me këto ndjenja faji, me këto skena mizore ku gratë duhet të kërkojnë falje apo të vetëdënohen kur janë ndryshe ,kur ndihen ndryshe, kur mendojnë ndryshe dhe me çmimin e lartë që duhet t’i paguajnë shoqërisë në këmbim të lirisë.

Jam kaq e neveritun nga ideja absurde që edhe nëse nuk do, edhe nëse s’je gati, edhe nëse nuk asht momenti jot, duhet të provosh gjithsesi të kesh fëmijë sepse çdo alternativë tjetër përveç nanës, asht e papranueshme.

Me ka ardh në maje të hundës kjo botë, ky vend, ku gratë duhet gjithmonë me pas një justifikim në xhep, me dhanë llogari e shpjegime. Gratë duhet të jenë gjithmonë diçka ma shumë se gra, duhet të kenë një rol ma tepër, të jenë bashkëshorte, nana, gjyshe, edukatore.

Nuk ka randsi shkollimi, emancipimi, informimi, inteligjenca dhe kompetenca jote si njeri. Nëse s’mund të jesh nanë, s’mund të jesh asgja.

Po atëherë,nëse nuk zotnojmë lirinë e zgjedhjes, kush jemi ne? Sa asht e jona jeta që njohim? Sa vlejmë nëse vlerën tonë e vendosin të tjerët?

Shtatzania nuk asht veç një fotografi në Instagram apo një lajm i lumtun në facebook; nuk asht veç një ekografi e ngjitur në frigorifer; nuk asht veç një festë me familjen; nuk asht veç një pritje e bukur; nuk asht veç një aftësi riprodhuese.

Shtatzania nuk asht veç shtatzani.

Asht mëmësi.

E mëmësia asht zgjedhje.

E zgjedhja asht e paprekshme, e padiskutueshme, e padhunueshme!

Prandaj,hiqini sytë nga barku i grave.Mitra jonë nuk asht temë diskutimi, as pronë publike e as vlerë kombëtare!

Pranimi i të vërtetës, edhe nëse e vërteta ju dhemb, e sidomos atëherë kur ju dhemb, asht i vetmi ilaç kundër injorancës dhe padrejtësive.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s