Me u shtrëngu, pa pas nevojë me u shty

Ne nuk i ngjajmë njena-tjetrës.
As nga historia prej të cilës vijmë,as nga betejat që kena humb,as nga shenjat e dhimbjes,as nga pasionet ma të guximshme,as nga çertifikatat e lavdërimit,as nga notat në rregjistër,as nga fotografitë në mur,as nga muret e shtëpisë,as nga rrëfimet e nanës e as nga rrudhat e babait.
Nuk ngjajmë as nga ngjyra e lëkurës,as nga shikimi në sy,as nga madhësia e gjoksit,përmasat e belit,kilet mbi peshore;as nga modeli i flokëve,as nga nishanët në trup,as nga forca e shpatullave,as nga trashësia e buzëve,as nga ndjekësit në Instagram.

Nuk ngjajmë as nga sheqeri që hedhim në kafe,as nga gjumi i të dielës,as nga rrobat në dollap,as nga shakatë që na bajnë me qesh,as nga dashnitë që s’na kanë dashtë,as nga burrat që kena fal,as nga lufta që na asht shpall.

Nuk ngjajmë as nga tehu i mendimit,as nga kafazi i frikës,as nga Jo-të që kena marrë,as nga Po-të që kena dhanë,as nga udhëtimet rreth botës,as fëmijët që kena lind,as nga fëmijët që kena kenë.

Ne nuk i ngjajmë njena-tjetrës dhe ndoshta pikërisht këtu,tek diversiteti,tek imperfeksionet tona,te pangjashmëria jonë sublime,tek ylberi i masave,mendimeve dhe andrrave tona të ndryshme,banon bukuria e vërtetë njerëzore…dhe e bukura nuk rrin vetëm në pasqyra,në kopertina apo në një ekran televizori,por sidomos tek njerëzit që duan të mirën e vetes dhe të tjetrit;tek ata që nuk xhelozojnë suksesin e të tjerëve por ua rrahin shpatullat me krenari;tek njerëzit e lirë;tek njerëzit mirënjohës;tek njerëzit që nuk gjykojnë por pyesin e mësojnë;tek njerëzit që revoltohen para padrejtësisë;tek ata që punojnë me ndershmëri e respekt;tek njerëzit që duan njerëzit,planetin,dialogun,kafshët dhe veten.
Bukuria nuk rritet në forma,në trajta apo ngjyra por në mendime,në ide,në sjellje,në energji,në fjalë a qoftë edhe në heshtje.

Ne nuk i ngjajmë njena-tjetres e ky asht fat,asht bekim,asht mundësi e jashtëzakonshme me dhanë e me marrë,me ndërtu,me frymëzu,me kriju,me u shtrëngu,pa pas nevojë me u shty…sepse në fund të ditës,asgja nuk të vret e nuk të shpëton ma shumë se mendimi që ke për veten,me veten.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s