Ada Halilaj

IMG_5396

Para se me kenë bijë e prindërve të mi,gruaja e një burri që dua,nana e fëmijëve që ndoshta do vinë,emri të cilit i përgjigjem,autorja e poezive të egra,gruaja që merrni nëpër gojë,ajo që mbush rrobat e mia,ha në pjatën teme,shtrihet në shtratin tem…para se të jem ajo që ju shihni,unë jam ajo që unë shoh,një grua brenda një gruaje me shpirt ma të madh se trupin;një grua që shkruan,sidomos natën,sidomos mbi dhimbjet që s’ka provu.

 
Një grua që të dielave nuk ban tortë me mollë e nuk fshin pluhnat mbi raft,po lexon Pizarnik-un.

 
Një grua që dashuron detin,dimnin,stuhitë,kafshët,venen,makinën e shkrimit,fotografitë e viteve 60’,buzëkuqin e thatë,udhëtimet me tren,frutat e pyllit,muzikën e Nina Simone dhe zhurmën e orës në mur.

 
Një grua që lufton prej vitesh me ataket e panikut;një grua e kuptume pak dhe e gjykume shumë;një grua që jo gjithmonë ndihet në paqe me vedin,me shtëpinë ku jeton,me njerëzit që i bahen rreth por nuk hek dorë nga magjia e kureshtjes…kureshtje për lëkurën që ia mbështjell stinët e trupit,për historitë e të panjohurve,për albumet e familjes,për të kalumen e miqve,për dashninë e të dashtunve;një grua me zà të lartë,me kambngulje të hekurt,me pasion të pafshehun;një grua që mbi lirinë mbështet kryet;një grua që nuk i mungon kurrë vetmisë;një grua që merr frymë me sy e që atdhe quan fëmijërinë.

 
Një grua që po zbuloj dita-ditës,dallgë mbas dallge,zemërim mbas zemërimi,diell mbas dielli,e dita-ditës po e dua çmendurisht edhe ma fort!